Autoritetet egjiptiane kanë thënë se kostoja e humbjeve dhe dëmeve që do të rrjedhin nga bllokimi i anijes gjigante “Ever Given” për disa ditë në Kanalin e Suezit ka gjasë të shkojë në një miliard dollarë amerikanë.
“Sasia e dëmit dhe humbjeve dhe shpenzimet e mjetet e pastrimit do të llogariten. Shifra do të arrijë në një miliard dollarë dhe pak më shumë”, tha drejtori i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie.
Anija “Ever Given” u zhbllokua të hënën pas gati një jave të qëndrimit pa lëvizur, me ç’rast e bllokoi tërësisht trafikun ujor në njërën prej rrugëve më të rëndësishme në botë për këtë lloj transporti. Autoritetet të martën nisën hetime për ta zbuluar shkakun e ngecjes së anijes në bregun e kanalit, ndonëse si arsye është përmendur era e fortë dhe stuhia e rërës, që besohet ta ketë kufizuar dukshmërinë, shkruan Independent.
Pas zhbllokimit të anijes, Rabie tha se bllokimi i kanalit i ka kushtuar Egjiptit nga 12 deri në 15 milionë dollarë në ditë, ndërsa pas hetimeve do të përcaktohet subjekti përgjegjës për pagimin e dëmshpërblimit, transmeton Gazeta Express.
Rreth tri orë pas zhbllokimit të anijes, në Kanalin e Suezit filloi qarkullimi i anijeve tjera normalisht. Autoritetet po planifikojnë që ta dyfishojnë numrin e anijeve që do të kalojnë nëpër të për shkak të pritjeve të gjata, por ekspertët kanë paralajmëruar se pengesat në tregun global mund të zgjasin me muaj.