Shkruan: Osman Goranci
Po, po!…
Dan Bungu u bë kryetar. U bë më i madhi dhe i pari në qytezën e tij. Pse jo. Ai ka “luftuar” dhe është “lodhur” shumë për çështjen tonë kombëtare dhe ka “shpenzuar” kohë dhe mund për këtë popull.
Që në vitin 1990, Dani hapi një agjensi turistike dhe disa mijëra bashkëvendas, për një shumë “simbolike” prej pesë-gjashtë mijë DM për person, ua mundësoi “kalimin” nga kufiri e Jugosllavisë së cunguar për në burgjet dhe kampet e përqëndrimit në Hungari, Çeki, Poloni, etj. Por, ka raste kur ndonjë klient i tij, ka arritur shëndosh e mirë deri në cak. Disa vite me radhë, ai për çdo muaj i ka ndarë edhe nga 10 DM për Këshillin për Financim!…
Ndërkaq, kur doli në skenë UÇK-ja, kudo që ndodhej, nëpër rrugë, në shitore, në restorante, etj, Dani u fliste bashkëqytetarëve të vet, bla, bla, bla… për “miqasitë” e tija “atdhetare” me Komandant Therrën, pastaj me Komandant Barkun, Komandant Tymin, etj.
Ai dinte shumë mirë të notonte dhe të zhytet mu aty ku duhej.
Në janarin e vitit 1999, dy policë serbë të Trafikut e rrahin Danin sepse nuk i ka patur zinxhirat për dimër në bagazhin e automobilit të tij të tipit BMW.
Që nga ajo ditë ai strehohet tek disa kusherinjë duke u thënë se agjentët serbë e kanë zbuluar aktivitetin e tij “patriotik” dhe se iu kanë kërcënuar me likuidim!…
– “O, ju milet shumë i vuajtur. Kam vendosur të arratisem për në Shqipëri, ku do të vazhdojë luftën time për çlirimin definitiv të vendit. Ju mos e humbni durimin se liria është afër”, – U tha Dani një ditë kusherinjve dhe disa bashkëvendasve të tij dhe ikën për në Shqipëri, ku fillon të ngjitet shkallëve të një “atdhetari” dhe me retorikën e vet i fiton poenat e para të cilat ia çelin rrugën politike.
Një vit më vonë, pra me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, si dhe të njësiteve të UÇK-s, në qytete dhe në fshatra, Dani i pari hyn në zyret e
vendit dhe nga balkoni i zbukuruar i drejtohet popullit të tubuar në kremtën e fitores së madhe!…
– Urime, o ti milet i çliruar nga okupatori fashist serbë. Urime për lirinë e pritur me shekuj. Urime për mua, Dan Bungun, kryetarin tuaj që do t’ju prijë në ndërtimin dhe përparimin e jetës sonë në liri. Ju premtoj se unë Dan Bungu, bla,bla,bla!…
Pas disa ditëve, Dani në ekipin e tij udhëheqës, i punësoi edhe Sylë Musteqoshin, Lom Ilegalin, pastaj, zonjushen Hatixhe Karminin, Rrem Traktoristin, Zeqë Bardakun, shumë dajallar, axhallar, tezak e kusherinjë.
Këta, së bashku me kryetarin e tyre Dan Bungun, i përvolën llërët dhe iu përvishen punës dhe fjalëve për ri(n)dertimin dhe (n)dertimin e qytezës së tyre. Natyrisht në emër dhe për miletin, alias po-popu-llin!…