Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për një takim të mbajtur të martën ndërmjet tij, 2 nënkryetarëve të LDK-së dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Diçka të tillë e ka njoftuar Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, teksa deklaroi se është diskutuar me Rohden-n për qasjen e LDK-së në opozitë.
“Bashkë me Shqipen [Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK’së] dhe Besianin [Besian Mustafa, nënkryetar i LDK’së] e mirëpritëm ambasadorin Jorn Rohde. Ne diskutuam idetë e LDK’së dhe qasjen tonë në opozitë. E falënderuam ambasadorin për mbështetjen e jashtëzakonshme që ia ofron Gjermania shtetit tonë”, tha ai.
Po ashtu, përgjatë ditës së sotme Abdixhiku e ka takuar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
“U takuam sot me Ambasadorin Kosnett. Kishte një diskutim shumë të frytshëm. Ambasadori u informua për rolin tonë konstruktiv në opozitë dhe planet tona për të reformuar dhe forcuar LDK-në për shumë sfida përpara”, njoftoi kreu i LDK’së nëpërmjet ‘Twitter’-it.