Kryeministri i ri Albin Kurti ka mbledhur sot për herë të parë ministrat e tij në mbledhjen Ceremoniale të Qeverisë së Kosovës, raporton InLajmi.
Kurti në këtë mbledhje kërkoi nga ministrat e tij punë dhe anganzhim maksimal për të përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Ai tha se pret propozime konkrete nga ministrat e tij për planet në vazhdim.
“Kërkohet punë dhe rezultate sa më të shpejta. Rezultati i këtij kabineti varet nga puna që bëni ju dhe ekipi që drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim çdo kohë por edhe veprim. Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime konkrete që i keni identifikuar me vite. Tash është koha që të dëshmoni para qytetarëve që në pozitat që jemi vendosur jemi meritor”, ka thënë ai.
Kurti nuk ka lënë pa përmendur edhe ndërmarrjet publike duke thënë se duhet të bëhen auditime për të identifikuar çdo shkelje që bëhet.
“Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të përformancës, aty ku ka shkelje duhet vepruar shpejtë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti që e ka vizion të udhëheqë”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se në mbledhjen e parë të punës do të marrin veprime konkrete që i sheh të nevojshme kabineti qeveritar.
“Në këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku menjëherë do i marrim veprimet e nevojshme siç i sheh ky kabinet i yni qeveritar”, ka thënë ai. /InLajmi/