Investimet e huaja direkte në Kosovë ndër vite kanë çaluar. Trendi në rënie i kapitalit ndërkombëtar, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është tregues i rëndësishëm i humbjes së besimit të investitorëve potencialë.
Ata thonë se stabiliteti politik është një prej faktorëve që ndikon dukshëm në vendimin e afaristëve të jashtëm për të filluar investimet në një vend tjetër.
Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online thotë se problemi kryesor pse janë larguar investitorët kanë qenë korrupsioni dhe burokracia.
Kusari-Lila shprehet optimiste se me ardhjen e Qeverisë së re do të krijohen kushtet adekuate për investitorët e huaj në vend.
“Ne çfarë kemi parë në shumicën e deklarimeve të investitorëve qoftë të atyre të vendit dhe të huaj, problemi kryesor ka qenë burokracia dhe korrupsioni, duke e ditur se e kemi një qeveri që po vjen me një mandat të qartë në luftën kundër korrupsionit, në lehtësimin e kushteve për të bërë biznes në Kosovë, konsiderojmë që në fillim hymë me një kredibilitet shumë më të madh se sa qeveri deri më tash në Kosovë edhe Kuvendi i Republikës është i gatshëm që të mbështes dhe duhet të ketë një punë aktive në harmonizimin dhe në rregullimin të atyre problemeve dhe sfida institucionale të cilat mund të jenë për të rregulluar mjedisin e biznesit”.
“Unë e shoh si shumë pozitive dhe jam optimiste në atë se çfarë e pret Kosovën në tërheqjen e investitorëve, një element këtu që nuk duhet harruar është diaspora që në këto zgjedhje kemi pasur një mbështetje të paparë në pjesëmarrje dhe ne e kemi atje një pasuri e cila deri më tash është shfrytëzuar vetëm në kuadër të konsumit dhe të remitencave dhe shumë pak ka pasur rol diaspora në mbështetje dhe pjesëmarrje aktive në ekonomi qoftë përmes investimeve dhe planifikimeve strategjike dhe jo me fajin e tyre, por me mungesën e krijimit të kushteve të mirëfillta dhe shpeshherë edhe me largimin e tyre”.
Kusari-Lila beson se Kosova ka resurse natyrore dhe ka një rini që mund të angazhohet në punë.
“S’ka pasur sepse nuk ka pasur vullnet të përgjithshëm sepse unë e mbaj mend se nga koha sa kam qenë ministre e tregtisë dhe industrisë, sepse kur e ke një subjekt politik që e ka mandatin e qartë që nuk ka nevojë për koalicione. Kosova ka resurse natyrore, dhe ende mund të zëmë një momentum që këtë të rinj e të reja që të angazhohen në punë”, ka thënë Kusari-Lila
Eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti tha se investimet e huaja në vend kanë çaluar tash e disa kohe, madje ai thotë se nuk po arrihet vlera vjetore prej 300 milionë euro nga investimet e huaja.
“Investimet e huaja direkte në vendin tonë kanë çaluar tash e sa vite, nuk po arrijmë ta kapim vlerën e 300 milionë eurove investimeve të huaja vjetore, dhe kjo si rezultat i krizave të vazhdueshme dhe jo stabilitet të institucioneve që kemi dhe shto këtu pastaj edhe faktin edhe sundimit jo të kënaqshëm të ligji dhe të korrupsionit”.
Ahmeti ka treguar se investitori më i madh në vend është IPKO. Ai ka folur edhe për largimet e investitorëve, ku ka përmendur dhe largimin e një investitorë gjerman.
“Investitori më i madh në Kosovë mund të themi që është IPKO si investitor privat, kurse largime ka pasur kohë pas kohë, ndërsa largimi që ka lënë theks më të madh ka qenë ai i RVE-së një investitorë gjerman që përtej investitori ka ndikuar edhe në raportet diplomatike dhe politike”.
“Institucionet e kanë shumë të thjeshtë thithjen e investimeve, pasi që i kemi një mori të përparësive krahasuese edhe me rajonin që mund të na nxjerrin si vendi interesant karshi investitorëve për faktin që kemi një rini dhe fuqi punëtore mjaft konkurruese, kemi një pako shumë të mirë fiskale, kemi liberalizimin e doganave karshi importeve, kemi disa marrëveshje të tregtisë së lirë, kemi valutën euro që është stabile dhe një sistemi financiar, pastaj pozita gjeografike dhe infrastruktura rrugore”.
Përveç kësaj, ai përmend edhe paaftësinë e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës për të promovuar në mënyrë të duhur resurset e shumta që posedon vendi.
“Duhet një qasje më serioze me diplomaci ekonomike, bashkëpunim me partnerët tanë strategjik si dhe forcimi i sundimit të ligjit në vend dhe të gjitha këto do të ndihmonin që të shfrytëzojmë më mirë potencialin dhe kapacitete tona që i kemi për thithjen e investimeve. Duhet të kemi fokus që të kemi investitor serioz dhe në sektor domethënës, investimet kryesisht vinë nga diaspora jonë që janë kryesisht në sektorin e patundshmërive dhe tregtisë dhe ato nuk janë investime shumë të qëndrueshme, duhet të ketë një qasje më serioze, dhe duhet të kemi investime në sektorët e prodhimit, përpunimit të ushqimeve, bujqësisë si dhe përpunimit të tekstileve”.