Derisa viti 2020 ishte një vit shumë më ndryshe, Raporti për Lumturinë shikoi efektet negative dhe pozitive të pandemisë.
Për të katërtin vit radhazi, Finlanda renditet si vendi më i lumtur në botë, sipas Raportit Botëror të Lumturisë të këtij viti.
Ndryshe nga vitet e mëhershme, indeksi i lumturisë përfshiu edhe sondazhet se si vendet u morën me pandeminë që ka tronditur botën për më shumë se një vjet.
Autorët e këtij raporti kanë thënë se sondazhi i këtij viti ekzaminoi efektet e krizës në stukturën dhe cilësinë e jetës së njerëzve, si dhe shikoi se si qeveritë e trajtuan atë.
Pas Finlandës, shtetet më të lumtura ishin Islanda, Danimarka, Zvicra dhe Holanda.
Të gjitha vendet nordike u renditën në 10 vendet e para të listës, ndërsa Estonia ishte e 28-ta dhe Rusia e 60-ta më e lumtur nga gjithsej 149 kombet e hulumtuara.
Shteti më i palumtur që u rendit si i fundit në këtë listë ishte vendi jugor afrikan, Zimbabve. 10 vendet e fundit të listës, shumica prej të cilave afrikane, ishin në situata të vështira si trazira apo luftëra civile.
Në këtë sondazh u përgjigjen rreth 1000 veta nga secili vend i hulumtuar. Atyre iu kërkua të vlerësojnë cilësinë e jetës së tyre nga zero deri në 10, transmeton Klan Kosova.
Po ashtu, pyetje të tjera ishin se sa herë qeshnin apo kanë ndie gëzim dhe kënaqësi apo shqetësim, trishtim ose zemërim gjatë ditëve të vitit të 2020.