Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla pas çertifikimit të rezultateve nga KQZ-ja mbeti jashtë Kuvendit, përcjellë InLajmi.
Ajo ka reaguar duke thënë se incizimi i cili u publikua ditë më parë është inskenim i sponzorizuar për ta njollosur atë.
“… për të më njollosur rrënjësisht mua dhe familjen time, dhe për të tjetërsuar rezultatin që certifikua sot sipas planit duke varrosur të vërtetën e vullnetit qytetar! Incizimi i inskenuar e i sponzorizuar, që u publikua ditë më parë, që u interpretua nga pseudo-portalet sipas dëshirës së porositësve, se kinse bashkëshorti im implikohet në bisedat e ulëta që zhvilloheshin në atë video 30 minutëshe, përmban tregues të mjaftueshëm e të bindshëm për inskenimin e dobët teatral që bëri banda kriminale sponzorizuese e kësaj fushate denigruese KUNDËR MEJE”– tha ajo
Haradinaj-Stublla ndër të tjera i ka bërë thirje publike Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi që të deklarohet në lidhje me rastin në të cilin ai është apostrofuar.
“Tani që u raportua se dy veglat e krimit të videos kanë dalë para drejtësisë, skenari dhe porositësit e tij besoj fuqishëm se përfundimisht do të zbardhen me zbulimin e identitetit të protagonistit të 3-të X1 (dhe mendoj kryesor) të video-inskenimit. I bëj thirrje publike Kryeprokurorit të Prishtinës Kujtim Munishi, i cili apostrofohet nga personi i 3-të në këtë video publike në minutin 25:10, që të deklarohet se nëse ekziston lidhja e tij me këtë person, nëse e ka takuar siç po pretendohet në video, dhe kush është ai. Personi i 3-të zbardhë gjithçka… madje edhe porositësin ‘politik’ që ka udhëzuar inskenimin e kësaj videoje, dhe ka kurdisur votat në QNR!” /InLajmi/