4 qytetarë të Suharekës, janë sulmuar sot në mesditë në hyrje të banesës nga një qen i tërbuar. E pas sulmit, ata e kanë mbytur qenin me një thikë shtëpie.
Detaje se si ka ndodhur rasti ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj.
Osmanollaj ka bërë të ditur se sot rreth orës 11:25 min në rrugën “Brigada 123”, nje qen i tërbuar kishte sulmuar një qytetar në hyrje të banesës, ku për pasojë qytetari kishte pësuar lëndime dhe si ndihmë kishin intervenuar edhe tre qytetarë tjerë të cilët gjithashtu kanë kërkuar ndihmë si pasojë e lëndimit nga qeni endacak i tërbuar.
Në lidhje me këtë qytetarët kanë arritur ta godasin qenin i cili ka ngordhur. Janë njoftuar Inspektorët komunal në Suharekë të cilët e kanë tërhequr qenin, shkruan SuharekaOnline.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar i shtetit i cili ka rekomanduar që ky rast të procedohet me raport policor të rregullt.