Presidenti Joe Biden ka thënë se shpreson që Amerika mund të “shënojë pavarësinë” nga Covid 19 më 4 korrik nëse njerëzit vaksinohen.
Në fjalimin e tij të parë si president, Biden tha se ai do të urdhërojë shtetet që të gjithë të rriturit të vaksinohen deri në 1 maj. Masat aktuale u japin përparësi njerëzve sipas moshës ose gjendjes shëndetësore.
Fjalimi i Biden vjen një vit në ditën pasi koronavirusi u klasifikua si një pandemi globale. Gjysmë milioni amerikanë kanë vdekur që atëherë , më shumë sesa numri i të vdekurve nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Vietnamit së bashku.
Shkollat janë mbyllur, bizneset janë mbyllur dhe njerëzit janë detyruar të ruajnë distancën sociale.
Vitin e kaluar shumë amerikanë u detyruan të heqin dorë nga grumbullimet, shfaqjet e fishekzjarreve dhe ceremonitë që shfaqen në festën kombëtare më 4 korrik, e cila shënon pavarësinë nga Britania. Në fjalën e tij, Presidenti Biden tha se ai nuk pret që ngjarje të mëdha të ndodhin kaq shpejt, por shpreson që grupe të vogla mund të takoheshin përsëri.
“Nëse e bëjmë këtë së bashku, deri më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkohen në oborrin e shtëpisë tuaj ose në lagjen tuaj dhe të bëjnë një gatim ose një Barbecue dhe të festojnë Ditën e Pavarësisë”, tha ai. “Pas një viti të gjatë, të vështirë, që do ta bëjë këtë Ditë të Pavarësisë me të vërtetë të veçantë – ku ne jo vetëm që shënojmë pavarësinë tonë si komb, por ne fillojmë të shënojmë pavarësinë tonë nga ky virus”.
SHBA ka deri tani numrin më të lartë të vdekjeve në botë nga virusi, por nivelet e vdekjeve dhe infeksioneve kanë rënë në javët e fundit ndërsa programi i vaksinave rritet.