Autoritetet kanadeze thanë të martën se vaksina e kompanisë “AstraZeneca” kundër sëmundjes Covid-19 është e sigurt. Ky reagim erdhi pasi disa vende evropiane e pezulluan përdorimin e kësaj vaksine pas paraqitjes së rasteve të mpiksjes së gjakut te disa persona të vaksinuar.
“Jemi të vetëdijshëm për raportimet rreth efekteve negative në Evropë pas imunizimit me vaksinën e AstraZeneca-s për Covid-19 dhe do të donim t’i sigurojmë përsëri kanadezët se përfitimet e vaksinës vazhdojnë të jenë më të mëdha sesa rreziqet e saj”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shëndetësisë.
“Tash për tash, nuk ka shenja se vaksina i ka shkaktuar këto ngjarje”, thuhet më tej në deklaratë.
“Deri më tani, asnjë efekt negativ në lidhje me vaksinën e AstraZeneca-s për Covid-19 nuk është raportuar në Agjencinë e Shëndetit Publik”, vazhdon deklarata, shkruan Reuters.
Javën e kaluar, Kanadaja u furnizua me 500.000 doza të kësaj vaksine, të cilat janë prodhuar nga Instituti “Serum” në Indi, ndërsa deri në maj pritet të marrë edhe 1.5 milionë doza tjera, transmeton Gazeta Expres.
Ndonëse Kanadaja ka porositur më së shumti doza për kokë banori se secili shtet tjetër, programi i vaksinimit është zhvilluar ngadalë, pjesërisht për shkak të vonimit të shpërndarjes së dozave nga prodhuesit amerikanë, “Pfizer” dhe “Moderna”.