Maqedonia e Veriut edhe të enjten ka regjistruar shifra të larta të të infektuarve me koronavirus. Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar për 21 persona të vdekur dhe 947 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.
Të dhënat i referohen testimit të 3.450 mostrave ndërsa njoftohet edhe për 397 persona të shëruar nga COVID-19.
Sipas raportit të publikuar, në Shkup jetën e kanë humbur gjashtë persona (91, 90, 87, 66, 68, 78) në Berovë tre persona ( 59,51,70) nga dy në Kumanovë (72, 71) Negotinë ((79,78), Gjevgjeli (59 dhe 83 vjeç) dhe nga një viktimë në qytetet e Koçanës (66), Krushevës (74), Bogdancit (54) dhe Demir Kapisë (75).
Është raportuar se 19 persona kanë vdekur në spitalet e vendit ndërsa dy të tjerë në shtëpitë e tyre.
Numri më i madh i të infektuarve vazhdon të jetë në Shkup, gjithsej 453 raste.
Prej kur ka shpërthyer pandemia, numri i personave të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoni të Veriut ka arritur në mbi 110 mijë persona, prej të cilëve 3,265 e kanë humbur jetën , mbi 96 mijë janë shëruar, ndërsa raste aktive janë mbi 10 mijë
Në Maqedoninë e Veriut nga dita e mërkurë kanë nisur masat shtrënguese që ndalojnë lëvizjen e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Ministria e Punëve të Brendshme të enjten ka njoftuar për 12 shkelje të orës policore dhe ka paralajmëruar qytetarët për pasoja në rast se nuk respektohen masat në fuqi.
Për rritjen e rasteve me COVID-19 opozita maqedonase ka akuzuar qeverinë duke kërkuar përgjegjësi nga Ministri i Shëndetësisë, si për siç thotë “menaxhimin e keq me pandeminë ashtu edhe për dështimin në furnizimin me vaksina”, njofton Insajderi.
Për shkak të gjendjes së rënduar epidemiologjike, kryetari i VMRO-DMNE-së, Hristijan Mickovski përmes një letre publike dërguar përfaqësive diplomatike në Shkup, ka kërkuar shtyrjen për në shtator të regjistrimit të popullsisë, që është paraparë në muajin prill