Në Qendrën e Prishtinës ka filluar aplikimi i çmimores së re për parkimin e veturës. Banorët rezidentë do duhet të paguajnë vetëm 10 euro në muaj, kurse për familjet që posedojnë 2 vetura çmimi do të jetë më shtrenjtë.
Kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, në një intervistë për Ekonomia Online tha se procesi ka filluar sot bashkë me ekipet e policisë së Kosovës, dhe qytetarët tash kanë mundësi që përmes aplikacionit ta kenë më të lehtë menagjimin e parkingut personal.
Tutje ai tha që fokusi do jetë vetëm tek banorët rezidentë, dhe më pas do shohin për bizneset dhe banorët jo-rezident.
“Procesi ka filluar sot, jam i lumtur që më në fund është mundësuar që me startu. Po sot ekipet e tona bashkarisht nën kujdesin e policisë së Kosovës, janë në terren dhe në këto katër rrugët që ne i kemi njoftuar qytetarët më herët që do të fillojë aplikimi i pagesave, ka filluar sot dhe ka pasur edhe një aksion dhe qarkullim i qytetarëve që edhe kanë bërë pagesa, por qëllimi jonë sot nuk ka qenë që me u apliku gjoba, por që të informohen më shumë. Siç ju kemi informuar versioni i pagesave shkon përmes aplikacionit që të gjithë qytetarët mund ta instalojnë dhe është një formë më e lehtë e menagjimit të parkingut personal. Fokusi do jetë vetëm tek banorët rezidentë dhe më pas tek bizneset dhe banorët jo-rezident”, tha Restelica.
Mes tjerash ai pëmendi që për familjet që i kanë dy vetura, do bëhet zgjidhja fillimisht vetëm për veturën e parë, dhe pastaj për veturën e dytë.
“Ne do bëjmë zgjidhje për veturën e parë, ndërsa për veturën e dytë nuk është zgjidhje e jona. Njëherë do mirremi me regjistrimin e veturës së parë e pastaj do shohim për veturën e dytë”, u shpreh tutje ai.
Restelica tha që kjo është një punë e re për secilin, duke filluar prej tij dhe stafit në përgjithësi, dhe se është një aktivitet që nuk ka ndodhur më herët.
“Kjo është një punë e re për secilin, duke filluar prej meje, është çështje e menagjimit të përgjithshëm, po si punë është duke ndodhur tash, është aktivitet i cili nuk ka ndodhur më herët”, përfundoi ai.