Koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ka thënë se edhe ai të martën është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Kisha një takim përmbajtjesor me Lajçakun. Ai kishte dëshirë të takohej me mua dhe të jepte perspektivën e tij se si e shihte ai vazhdimin e dialogut të rinisur në korrik të vitit të kaluar. Kishte ardhur për të mësuar më shumë për pikëpamjet e liderëve të partive politike dhe në veçanti partisë fituese”.
Hyseni ka thënë se dialogu i rinisur dhe që u udhëheq nga Qeveria Hoti ka bërë një përparim të ndjeshëm në trajtimin e elementëve kryesorë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Qeveria në detyrë dhe unë si koordinator jemi kujdesur që të paraqesim dhe ‘imponojmë’ te ndërmjetësi i BE-së një kornizë të qartë parimesh se si duhet zhvilluar dialogu dhe se çka duhet të përmbajë ajo pako gjithëpërfshirëse. Dhe më e rëndësishmja që çfarëdo marrëveshje s’guxon të prekë sovranitetin dhe karakterin unitar të vendit. Rregullimi kushtetues nuk guxon të preket dhe këtë e ka pasë të qartë Lajçaku”.
Hyseni, që kishte deklaruar se dialogu është çështje muajsh dhe assesi vjetësh, tha se rrjedha e dialogut u ndal për shkak të rënies së Qeverisë Hoti.
“Dialogu ishte në rrjedhë të shëndetshme që pashmangshëm çonte në një njohje reciproke Kosovë-Serbi dhe besoj që edhe pas kësaj ndërprerje qeveria e ardhme do ta vazhdojë aty ku e kemi lënë.
Lajçak mua sot ma ripërsëriti se po që se vazhdon procesi në atë kornizë në të cilën është filluar për pak muaj mund të arrihet (marrëveshja)”.
Hysni në Rubikon shtoi se edhe dialogu edhe nëse nuk zë vend në dy prioritetet e para të kryeministrit potencial, Albin Kurtit, ai do të imponohet si i rëndësishëm nga faktori ndërkombëtar.
“Kontesti historik dhe politik mes Kosovës dhe Serbisë do zgjidhje përfundimtare. Moszgjidhja e këtij konflikti e mban peng ecjen tutje të Kosovës në gjitha rrafshet. Ne nuk duhet të kemi iluzione se Kosova do të bëjë përparim të ndjeshëm në këtë rrafsh pa e zgjidhur këtë kontekst. Është thelbësore që ky konflikt të zgjidhet njëherë e mirë që Kosova të mos rrëshqasë nga vendet me gjysmë identitet. Pa anëtarësim në dhe NATO, BE dhe OKB, Kosova mbetet në shtetet që e kanë të papërfunduar procesin e shtetndërtimit”.
“Shpresoj shumë që cilado qeveri qoftë do ketë pjekurinë dhe do ta kuptojë në thelb domosdonë dhe nevojën e zgjidhjes së këtij konflikti. Dialogu me Serbinë do t’i imponohet si i rëndësishëm dhe si prioritet nga partnerët kyçë të Kosovës, të cilët nuk duan paqartësi të pafundme në Ballkan”.