Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë detaje për takimin e zhvilluar sonte në zyret e partisë së tij me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, për dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti tha se Lajçak e informoi për procesin e dialogut në përgjithësi, por se i ka thënë se programi i VV-së përqendrohet te drejtësia dhe punësimi.
Ai ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut, por se nuk është prioritet i parë ose i dytë.
“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, deklaroi Kurti.