Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet duke dalë e para me mbi 47% të votave, e pasura nga PDK-ja me 17% të votave dhe LDK-ja me 13 %.
Përveç Vetëvendosjes, të gjitha partitë u zhgënjyen me rezultatin, pasi do të kenë shumë pak deputetë, PDK 20, LDK 15 e AAK 9, kurse NISMA nuk e ka kaluar pragun.
Pashmangshëm këto rezultate të dobëta lënë jashtë Kuvendit, edhe shumë emra të njohur të partive, që mandatin e kaluar ishin pjesë e Kuvendit.
Sipas rezultateve të deritanishme, janë pesë ish-deputete të njohura që nuk kanë arritur të sigurojnë sërish ulëse në Kuvend.
Doruntinë Maloku, Rrezarta Krasniqi, Besa Gaxherri, Saranda Musliu, Vlora Limani – Hajnuni, janë kandidatet nga LDK që nuk arritën sërish të fitojnë besimin e qytetarëve.
Kurse në PDK kanë mbetur 4 ish-deputete jashtë Kuvendit.
Besa Ismaili, Evgjenie Thaçi-Dragusha, Floretë Zejnullahu dhe Valdete Idrizi janë kandidatet që nuk kanë arritur të fitojnë votat e mjaftueshme të qytetarëve.
Nga Lëvizja Vetëvendosje janë tre ish-deputete që nuk e kanë fituar besimin e qytetarëve. Sipas rezultateve të tanishme, Fitore Pacolli, Yllza Hoti, Zikreta Aliti do të mbesin jashtë Kuvendit.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur jashtë prej deputeteve më të njohura të kësaj partie, fjala është për Teuta Haxhiun, ndër deputetet më të zëshme në legjislaturën e fundit.
Nga Aleanca Kosova e Re nuk ka arritur t’i fitojë votat e mjaftueshme Mirlinda Sopi-Krasniqi, e cila ishte pjesë e Kuvendit në legjislaturën e fundit.
Jashtë Parlamentit ka mbetur edhe Arbreshë Krasniqi nga NISMA Socialdemokrate, po jo vetëm ajo, por ky subjekt nuk ka arritur ta kalojë pragun prej 5%.
Në Kuvend legjislaturën e re nuk do të jetë as Donika Kadaj-Bujupi e cila ishte deputete për disa mandate. Ajo nuk ka qenë fare pjesë e garës në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Reporteri.
Ndërsa nuk dihet nëse Duda Balje do të jetë apo jo pjesë e Kuvendit në legjislaturën e re.