Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e radhës, gjatë së cilës janë marrë një numër vendimesh, përcjellë InLajmi.
Sipas komunikatës për medie, Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 1,000,000.00 € (një milion euro), për mbështetjen e programeve ekzistuese dhe të reja, që lidhen me zhvillim rajonal dhe ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar.
Vendimi i parë i miratuar pas shqyrtimit në mbledhjen e sotme, ka qenë vendimi për vazhdimin e mandatit të kryesuesit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Mirsim Beqiri; dhe anëtarit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Arben Dika, mandati i të cilëve zgjat pesë (5) vjet.
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka dhënë miratimin edhe për aprovimin e Planit për Implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike – Masa 15 “Mbështetje për programet ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal përmes Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar’’.
Për këtë qëllim janë ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 1,000,000.00 € (një milion euro), për mbështetjen e programeve ekzistuese dhe të reja, që lidhen me zhvillim rajonal dhe ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar.
Qeveria po ashtu, ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti: “Programi për zhvillim rajonal”, për 2 ( dy) projekte kapitale në përputhje me 2 (dy) aneks-marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Kryetarët e Komunave. Mjetet e ndara do të ndahen për projektet si në vijim:
- Projekti i zhvillimit socio ekonomik në komunën e Kamenicës – kanalizim në shumë prej 30,000.00 €;
- Projekti i zhvillimit të turizmit në bjeshkët e Deçanit në shumë prej 155,073.15 €.
Në këtë mbledhje Qeveria ndër të tjera ka miratuar Strategjinë për Zhvillim Rajonal 2020-2030. Kjo strategji identifikon tre objektiva kryesore për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të vendit dhe për tejkalimin e dallimeve dhe pabarazive ndër-rajonale.
Objektivi i parë strategjik është koordinimi i politikave të zhvillimit rajonal përmes hartimit të legjislacionit për zhvillim të balancuar, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe akterët përkatës;
Objektivi i dytë është zhvillimi rajonal i balancuar dhe rajone të afta për konkurrencë ndër-rajonale, përmes zvogëlimit të dallimeve në aspektin e zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës në rajone zhvillimore;
Objektivi i tretë strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal të bazuar në resurse natyrore, ekonomike, kulturore dhe humane përmes shfrytëzimit të resurseve natyrore dhe ekonomike që është një prej themeleve të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal.
Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për Rialokimin e mjeteve financiare në Ministrinë e Pushtetit Lokal nga kategoria e shpenzimeve kapitale, konkretisht nga projekti “Programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal” për realizimin e gjashtë (6) aneks-marrëveshjeve të mirëkuptimit të nënshkruara nga Ministri i Pushtetit Lokal me kryetarët e komunave./InLajmi/