KB Vëllaznimi e ka mposhtur skuadrën e Sigal Prishtinës në ndeshjen e parë të xhiros së 20 në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e luajtur të enjten në Prishtinë, ka përfunduar me rezultatin 86:74 në të mirë të Vëllaznimit.
Për ekipin nga Gjakova, kjo është fitorja e parë pas një serie prej nëntë humbjeve rresht derisa Prishtina përjetoi disfatën e parë pas triumfit në Kupën e Kosovës.
Më i merituari për fitoren e Vëllaznimit në këtë ndeshje, padyshim që ishte qendra Emmanuel Emogbo që ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 36 pikëve e 15 kërcimeve, përcjellë EO.
Ndërsa, me lojë të mirë te Vëllaznimi u veçuan edhe Ty Nichols (26) që debutoi me fanellën e ekipit gjakovar dhe Robert Shestani (16). Te skuadra e Prishtinës, më efikasi ishte Tevin Mack me 25 pikë të shënuara, i përcjellë nga Nigel Johnson me 20 pikë e tetë asistime. Përkundër fitores, Vëllaznimi mbetet në pozitën e fundit në tabelë me 25 pikë të mbledhura, një më pak se Prishtina që zë vendin e gjashtë.