Sulmet nga qentë endacakë janë bërë problem serioz, por komunat nuk janë duke e trajtuar këtë çështje si duhet. Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Zëdhënësi Thaçi tregon se në vitin 2018 kanë marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të 14 .000 qenve endacakë. Në vazhdim, edhe në vitin 2020 ka vazhduar trajtimi i 5.000 qenve endacakë.
Thaçi shtoi se AUV-i ka ndarë 700.000euro për projektin sa i përket trajtimit të qenve endacakë, projekt që vazhdon deri në muajin maj.
“Ne si agjenci në vitin 2018 kemi marrë buxhet nga Qeveria e Kosovës për trajtim emergjent të qenve endacak dhe në këtë vit janë trajtuar 14 mijë qen. Duke parë që komunat nuk kishin krijuar fonde të buxhetit për trajtim nga ana e tyre, ne kemi qenë të detyruar që me të hyrat tona të agjencisë të bëjmë ndarje nga projektet tjera. Edhe në vitin 2020 janë trajtuar rreth 5 mijë qen endacakë dhe ky projekt do të vazhdojë deri në muajin maj të këtij viti”.
“Ne shpresojmë që shumë shpejt komunat ta marrin punën për të kryer sepse është mandat i tyre bazuar në Ligjin për Veterinarisë. Burim i problematikës së qenve endacakë është mostrajtimi i duhur nga ana e nivelit lokal”.
“Komunat kanë trajtuar këtë problematikë dhe duke parë që nuk kanë dhënë efektin e duhur në terren, atëherë kemi qenë të detyruar nga ana e Qeverisë që ne si autoritet qendror të merremi me këtë problematikë karshi edhe shumë punëve të tjera të cilat i kemi dhe kemi marrë si detyrë. Dhe në vitin 2020 ne si Agjenci i kemi ndarë 700 mijë euro buxhet nga projektet tjera vetëm e vetëm që projekti të vazhdojë sepse është problematikë që kërkon trajtim për një periudhë afatgjate që ajo të japë efektin e duhur. Nëse ka ndërprerje atëherë prapë do fillojë shtimi i qenve endacakë sepse qëllim bazë i projektit është pengimi i shtimit të qenve endacakë”.