Këngëtarja amerikane Beyonce së bashku me “Adidas” dhe organizatën “Bread of Life” bashkuan forcat për të mbledhur para për banorët e rrezikuar të Teksasit, të cilët po luftojnë me pasojat e stuhisë së akullit “Uri”.
Beyoncé, përmes rrjeteve të saj, u bëri thirrje për ndihmë të rrezikuarve. Përveç kësaj, ajo ftoi të prekurit nga stuhia të regjistrohen në një lidhje të veçantë për të dhuruar fondet e nevojshme.
“Lutjet tona janë me ata që u preken nga stuhia,” shkroi fondacioni në Twitter.
Në stuhinë e akullt që goditi Teksasin disa ditë më parë, më shumë se 40 njerëz humbën jetën, dhe disa miliona njerëz aktualisht jetojnë pa ilaçe, ushqim, ujë, energji elektrike dhe ngrohje. Aksione të shumta humanitare janë nisur në të gjithë Amerikën dhe qindra mijëra dollarë janë mbledhur tashmë për të ndihmuar ata në nevojë, transmeton Gazeta Metro.
Kjo nuk është hera e parë që Beyonce ndihmon Amerikanët përmes Fondacionit BeyGOOD. Gjatë vitit 2020, këngëtarja dhuroi vazhdimisht fonde për blerjen e ushqimit, maska mbrojtëse, dezinfektues dhe ilaçe për shkak të pandemisë së koronavirusit.