Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, thotë se pas datës 14 shkurt do të udhëheqin Qeverinë, e cila do ta rimëkëmbë vendin.
Beqa nën një intervistë për Ekonomia Online thekson se kandidati i tyre për kryeministër, Enver Hoxhaj, është një njeri i duhur sepse “e ka derën hapur në Washington e në Bruksel”.
“Hoxhaj, është një njeri që e ka derën e hapur edhe me Washington, derën hapur në Bruksel dhe një njeri që do ta përfaqësojë Kosovën edhe jashtë edhe brenda vendit me punë dhe integritet. Ai din çka ka me bërë javën e parë, muajin e parë 100 ditëshin e parë dhe vitin e parë”.
Ndërsa i pyetur për një koalicion të mundshëm me VV-në, Beqa është përgjigjur se PDK ka koalicion me Rimëkëmbjen.
“Ne kemi koalicion me rimëkëmbjen. Kosova ka nevojë për rimëkëmbje. E gjithë bota ka nevojë për rimëkëmbje dhe jemi i vetmi shtet që nuk kemi pasur ndonjë agjendë se si ta kalojmë pandeminë edhe pse i kemi ndërruar dy qeveri në kohë pandemie, nuk kemi pasur ndonjë agjendë.
Partia Demokratike ka plan konkret vendime konkrete. z.Hoxhaj si kryeministër i Republikës së Kosovës e di çka ka me bërë javën e parë, muajin e parë 100 ditëshin e parë dhe vitin e parë.
Në planin e rimëkëmbjes, fokus të veçantë ka edhe ndërmarrësi, ne jemi ekonomi e lirë e tregut dhe duhet ta forcojmë ekonominë.
Ne e dimë që kemi probleme shumë në ekonomike nga viti 2020 e këndej, kemi pasur edhe më herët por pandemia i ka rënduar.
Me këtë programin e Partisë Demokratike do t’ia dalim dhe do të dalim faqebardhë dhe ne nuk kemi pasur asnjëherë vija të kuqe me asnjë subjekt politik, por në këtë rast jemi shumë optimist që pas datës 14 shkurt kryeministër do të jetë z.Enver Hoxhaj, një njeri i duhur që i di tamam kërkesat e qytetarëve në vitin 2021. Një njeri që e ka derën e hapur edhe me Uashington, derën hapur në Bruksel dhe një njeri që do ta përfaqësojë Kosovën edhe jashtë edhe brenda vendit me punë dhe integritet”.