Me shumë mundësi ju kujtohet mirë dasma mbretërore e Kate Middleton dhe Princit William! Mund të duket shumë larg, por ka ndodhur në vitin 2011. Teksa kthehemi pas të shohim fotot, Kate duket e qeshur dhe mjaft e lumtur. Mirëpo, ajo që nuk kemi ditur është se dukesha ka shpërthyer në lot pak kohë para ditës së madhe. Kjo pasi identiteti i stilistes së fustanit të nusërisë së Kate ishte një sekret që pallati arriti ta ruante për një kohë të gjatë, por u publikua në shtyp në mars – pak më shumë se një muaj para dasmës mbretërore.
Sunday Times publikoi lajmin se Sarah Burton e Alexander McQueen krijoi fustanin e Kate dhe dukesha u trondit aq shumë saqë shpërtheu në lot.
“Prapa skenave unë mendoj se kjo shkaktoi një trishtim të madh në Pallat, sepse Kate kishte bërë gjithçka që kishte mundësi për ta mbajtur të fshehtë fustanin e dasmës,” -tha reporterja mbretërore Katie Nicholl në dokumentarin “Secrets of the Royal Dressmakers”.
Pasi doli lajmi, Burton mohoi të ishte përfshirë në stilimin e fustanit të nusërisë së Kate, ndërsa Clarence House lëshoi një deklaratë duke thënë: “Ne nuk po komentojmë për stilisten specifike të fustanit, sepse Catherine Middleton dëshiron ta mbajë sekret stilisten deri në ditën e dasmës”.
Kate mund të jetë mërzitur shumë, por rëndësi ka që në fund gjithçka doli një përrallë!