Prokurorët federalë kanë ofruar dëshmi se turma e mbështetësve të presidentit amerikan, Donald Trump, që iu vërsul ndërtesës së Capitolit më 6 janar, kishte në plan që të kapte dhe të vriste zyrtarët e zgjedhur.
Kjo dëshmi është pjesë e një kërkese për mbajtjen në paraburgim të Jacob Anthony Chansleyt, i njohur për pamjen e tij prej vikingu në skenat e kaosit në Washingtonit.
“Prova të forta, përfshirë fjalët dhe veprimet e Chansleyt në Kapitol, përkrahin dyshimet se qëllimi i kryengritësve ishte kapja dhe vrasja e zyrtarëve të zgjedhur në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara”, thuhej në arsyetimin e prokurorëve të Qeverisë.
Akuzat e shkruara nga prokurorët e Departamentit të Drejtësisë në Arizona janë publikuar në ditën kur Qeveria ka nisur të përshkruajë kaosin në terme edhe më alarmuese.
Në një rast tjetër, prokurorët në Teksas kanë akuzuar një rezervist të pensionuar të forcave ajrore se planifikonte arrestimin e ligjvënësve amerikanë.
Avokati i të ashtuquajturit vikingu i Washingtonit ka thënë se klienti i tij e ka dashur Trumpin në secilin qëndrim të tijin, raporton CNN.
E ka dëgjuar dhe ndiente se po i përgjigjej lutjes së presidentit. Chansley sipas prokurorisë, kishte lënë një shënim në të cilin thuhej: “Është çështje kohe, drejtësia po vjen”, transmeton koha.net.
Në dëshminë e tij para zyrtarëve të FBI-së, kryengritësi amerikan ka thënë se shënimi nuk ishte kërcënim, por zëvendëspresidentin e ka quajtur tradhtar e trafikant të fëmijëve, siç e ka quajtur edhe presidentin e zgjedhur, Joe Biden.