Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2020/2021 do ta vazhdojnë fizikisht në shkolla, thotë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.
Megjithatë, mësimdhënësit kanë kërkesa në mënyrë që mësimi të vazhdojë në kohën e paraparë.
Ministri në detyrë, Likaj thotë se nuk ka ndonjë vendim të ri, kështu që mësimi do të vazhdojë sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), për ruajtjen e shëndetit të nxënësve në shkolla. Në këtë udhëzim thuhet se shkollat duhet të sigurojnë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.
Përgatitjet për vazhdimin e mësimit, sipas Likajt, tashmë kanë filluar dhe shumica e shkollave janë dezinfektuar, raporton REL.
“Shkollat vazhdimisht janë duke u furnizuar me pajisje mbrojtëse dhe dezinfektues nga Departamentet Komunale të Arsimit. Një kontingjent do të shkojë edhe nga ministria, por edhe nga donatorët dhe partnerët zhvillimorë. Kështu që ne jemi të përgatitur, në qoftë se nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket rekomandimeve të Ministrisë se Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, që të fillojmë të përgatisim pjesën e gjysmëvjetorit të dytë më 18 janar, 2021”, tha Likaj.