Përderisa të gjithë kemi bashkëpunuar që vetëm t’ia dalim mbanë gjatë pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dëshiron që ju të ushtroni, transmeton InLajmi.
Organizata lëshoi udhëzime të reja për aktivitetin fizik, duke rekomanduar që të rriturit të marrin të paktën 150 minuta – që janë 2.5 orë, me aktivitet fizik të moderuar deri të fuqishëm çdo javë.
Rekomandimet e reja të aktivitetit fizik të OBSH-së vijnë në një kohë kur pandemia e koronavirusit vazhdon të bëjë kërdi në të gjithë botën, teksa mbipesha është faktor për rritje të sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital nga Covid-19.
OBSH më parë rekomandoi që të rriturit e moshës 18 deri 64 vjeç të bëjnë të paktën 150 minuta ushtrim të moderuar ose minimumi 75 minuta ushtrim të fuqishëm çdo javë, dhe ato rekomandime të mëparshme janë bërë për të rritur të shëndetshëm. Rekomandimet e reja tani përfshijnë njerëz që jetojnë me kushte kronike ose me aftësi të kufizuara.
“Të qenit aktiv fizikisht është kritike për shëndetin dhe mirëqenien, mund të ndihmojë të shtoni vite në jetë dhe jetë në vite”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një njoftim për shtyp. “Çdo lëvizje ka rëndësi, veçanërisht tani ndërsa menaxhojmë kufizimet e pandemisë Covid-19. Të gjithë duhet të lëvizim çdo ditë, në mënyrë të sigurt dhe krijuese”, raporton CNN.
Pavarësisht se kush jeni, OBSH-ja ka disa parime thelbësore në mendje: Të gjithë mund të përfitojnë nga të qenit më aktiv sesa duke qëndruar të ulur. Të bësh një aktivitet fizik, pavarësisht se çfarë është, është më mirë sesa të mos bësh asnjë. Ju mund të filloni me ushtrime të vogla dhe të ngadalta dhe të rrisni frekuencën, intensitetin dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve me kalimin e kohës. Ju mund të forconi muskujt tuaj në shtëpi ose në palestër (kur jeni të sigurt), pasi që aktiviteti fizik është i mirë për zemrat, trupat dhe mendjet tona./InLajmi/