Nga Osman Goranci
Interesant! Më përparimin e hovshëm të shkencës dhe teknikës, na erdhi CELULARI, si mjet komunikimi dhe i dërgimit të porosive, që në këtë dinamikë të shtuar të jetës, po na e kursen mundin, kohën dhe me pedanteri po na i zbrazë xhepat, ashtu se ashtu të shqyer. Kur jemi me bagëti, ose duke punuar në arë dhe piqet pitja aty është, celulari. Kur shkojmë në “udhëtim” zyrtar, kur vijnë festat e ndryshme, kur jemi shumë të zënë, vetëm me një SMS, kryhet puna!…
Por, kur mendoj sa kanë vuajtur për një informatë dhe si janë marrë vesh njerëzit para se të zbulohet celulari, më duket sikur një ëndërr!…
Në fillim kur është krijuar njerëzimi, si mjete komunikimi janë përdorur, këmbët, duart, grushtet, dhëmbët, eshtrat e kafshëve të ndryshëm, etj. Më vonë, njerëzit me mjete të ndryshme e të forta, filluan t’i shkruajnë porositë nëpër shkëmbinjë. Me që gdhendja e shkëmbinjve, ishte punë shumë e mundimshme, disa zbuluan një formë të re të komunikimit nga larg, gurin. Por, edhe guri nuk ishte aq i sigurt, ngase ndonjëherë thyheshin xhamat, apo kokat e njerëzve, gjatë dërgimit apo marrjes së porosive.
Kështu, me kalimin e kohës, në shumë mjedise njerëzit filluan t’i zbusin dhe t’i ushtrojnë pëllumbat për dërgimin e porosive. Me që në disa vende, njerëzit qëllonin të uritur dhe posa të arrinin në cak, ata i hanin pëllumbat lajmëtarë, ZËRI-bërtima, filloi të bëhet mjet më i lehtë dhe më i lirë për komunikim. Pse jo!…
Një ditë nga kodra e pulave, Hasani e thërret Sylën dhe i thotë që ta përcjellë porosinë në gjithë malësinë, sepse kishte lexuar në gazetë, se sot reduktimet e rrymës do të jenë, 4:2. Syla, nga rrasa e zogut, bërtet në drejtim të bjeshkës së Çaushit ku qëndronte Dema, i cili menjëherë drejtohet nga maja e Bardhë, ku ishte duke pritur Ramadani. Ky e thërret Xhemshitin tek kodra e gështenjave, i cili menjëherë drejtohet nga lugina e dudave!…
– 0, Ibish. Përcille porosinë më tutje, se sot reduktimet e rrymës janë katastrofë, 4 me 2 në favor të territ.
Fatkeqësisht, Ibishi ishte shumë i zënë duke ngrënë duda. Ai, ia bënë me dorë gruas së vet Kumries që të ngrihet në këmbë dhe ta kthej porosinë prapa.
– O, Xhemshit, personi që po e kërkon momentalisht nuk ka qasje në rrjet. Pusho pak dhe provo ma vonë.
Si e merr këtë përgjigje nga Kumria, paksa i nevrikosur Xhemshiti kthehet nga kodra e kuqe.
– O, Stojan përcille porosinë më tutje, se reduktimet e rrymës për sot janë 4 me 2.
– Ne razumem. /S’po kuptoj/ – Përgjigjet Stojani.
Çudi!? Nuk ishte hera e parë që këputej lidhja tek Stojani, apo tek bashkëmendimtarët e tij. Kështu, përgjigja e tij i alarmoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë komunikim, që të mendojnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe, nuk pritën shumë!..
Kështu, pas afro një shekulli, pas shumë sakrificave, nisi një mënyrë e re kominkimi, pa u penguar nga Stojani – NEW BORN.