Kolegu im në zyre, Dush Vetima, dhe Dan Therra i cili punon në një zyre në katin e dytë, të cilët banojnë në lagjen time, njihen si koprracë në zë. Duken sikur janë të një nëne dhe të një babe. Çudi, që të dy i kanë kushtet e mira të jetës dhe standardin bukur të lartë, porse janë, koprracë se koprracë!…
Nuk mundet të lavdërohet kush jo vetëm në lagjen tonë, por edhe në qytet, si dhe në meset ku punojnë, që ka marrë ndonjë herë ndonjë cigare apo kanë pi kafe nga Dushi ose Dani, të cilët çdo ditë dinë të pinë nga pesë-gjashtë kafe, apo të ndezin cigare të tjetërkujt.
Meqë jemi organizatë e madhe me mbi 1600 puntëtorë prej të cilëve mbi 400 punojmë në Shërbimety e përbashkëta, Dushi dhe Dani, në saje të “talentit” të tyre, gjithnjë, gjejnë rastin që ndonjë kolegu, në zyre apo në repartee, t’ia urojnë datëlindjen, përvjetorin e martesës, lindjen e djalit apo të vajzës, blerjen e syzave, automobilit, apo të mishit për suxhuk, ose hyrjen në banesë, daljen e ndonjë anëtari të familjes nga spitali, meremetimin e shtëpisë, etj. Dhe, kafet, cigaret, e ndonjëherë edhe ndonjë gotë e rakisë, nuk mungojnë.
Po, po. Dushi dhe Dani me kohë e kanë “patentuar” këtë zgjidhje fatlume: kafe e cigare sa të duash, pa shpenzuar asnjë metelik. Këta të dy, vite me radhë nuk i paguajnë faturat për ujë dhe bërllog. Kanë telefona, porse më të “afërt” për ta janë telefonat në zyre. Meqë edhe unë banoj afër tyre, shumë herë kam vërejtur se këta dy, kur dalin në treg, shumë tregtarëve u shkon dita mbrapshtë. Këta, jo vetëm që i fusin duart nëpër gajbe, shporta dhe nëpër thasë, por nga prodhuesit ose shitësit kërkojnë nga 2 kilogramë e 750 gramë mollë, apo 5 kilogramë e 600 gramë speca, etj, vetëm e vetëm që të kursejnë, sepse prodhuesit bujqësorë, përkatësisht shitësit përtojnë të masin barra të tilla dhe iu falin nga 200 – 300 gramë më tepër, mollë, dardha, domate, speca, etj.
Një të diele vjeshte, me diell, duke kaluar afër shtëpive të këtyre fqinjëve të mi, diktova se si rrinin pranë derës së Lucit, duke pritur të kalojë ndonjë qerre ose traktor, me dru zjarri, që të sigurohen për stinën e dimrit. Mirëpo, mu para tyre, u ndal, inkasanti që i shpërndanë faturat mujore dhe i mbledh borgjet për shpenzimin të ujit të pijshëm, i cili së pari iu drejtua Lucit.
2.
– Mirë dita zotëri, po pushoni?
– Po. Jemi fqinjë, – i thotë Dani.
– Sa mirë është kur fqinjët kanë kohë të pushojnë e kuvendojnë, në këtë ditë të bukur vjeshte. Nderisa unë i gjori për një rrogë mizere, për çdo ditë dal në teren dhe i lutem qytetarëve që të paguajnë ndonjë faturë për shpenzimin e ujit të pijshëm.
– Puna, punë është zotëri inkasant, – i thot Dushi.
– Ashtu është zotërinjë të nderuar. Ju lutem, a keni ujë në shtëpi.
– Po. – u përgjigj Dushi
– Po ju? – Iu drejtua Danit
– Mos u tall me fukaranë, bre jaran, – iu drejtua Dan Therra.
– Po këto dy shtëpitë e mëdha e të bukura, ndoshta kanë pronarë?
– Nuk dimë, ne jemi mysafirë. – U përgjigjen njëzëri Dushi dhe Dani.
– Mirë, mirë. Po ku banoni ju, zotëri, – e pyeti Dushin.
– Askund, – u përgjigj Dushi.
– Po ju, zotëri?- Iu drejtua Danit.
– Një kat më lart, – u përgjigj Dani.
I gjori inkasant, si i trulluar u largua nga këta të dy, duke mos i besuar as syve e as veshëve të vet. Ndërsa, fqinjët e mi, Luci dhe Dani, vazhduan “muhabetin”, duke i fërkuar duart, sepse sot “shenuan” edhe një fitore në drejtim të kursimit të buxhetit të tyre familjar!…