Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku u.d Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, kanë pritur në takim Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, përcjell InLajmi.
Në këtë takim është diskutuar për Projektligjin për persona të zhdukur.
Ministria e Drejtësisë ka hartuar versionin fillestar të këtij drafti mirëpo sipas tij, para se të procedohet tutje ky draft, e ka parë si të nevojshme që të ketë konsultime paraprake me përfaqësuesit e familjarëve me qëllim që të merren parasysh propozimet dhe të adresohen shqetësimet e tyre.
“Si Ministër i Drejtësisë mbetem i përkushtuar në trajtimin dhe adresimin e kërkesave të familjarëve të zhdukur duke e marrë parasysh çdo rekomandim i cili e kompleton këtë Projektligj”, tha Selimi.
Nga ana tjetër Kryetarja e Kuvendit dhe U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se do të ofroj mbështetje institucionale dhe do të ketë angazhim të shtuar në çështjen e personave të zhdukur.
Kumnova ka falënderuar Ministrin Selimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e ofruar dhe ka theksuar se sqarimi i fatit të personave të zhdukur, duhet të jetë një përparësi dhe të trajtohet me vëmendje të veçantë nga institucionet e Kosovës,/InLajmi/.