Partia Demokratike e Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Situata është edhe më e rëndë kur në këtë fazë tejet të ndjeshme janë bërë shkarkime në 3 institucione që luftojnë krimin dhe mbikëqyrin sektorin financiar të shtetit, përcjell InLajmi.
Para disa ditësh, Kryeministri Hoti në mënyrë arbitrare kishte shkarkuar drejtorin e Policisë, drejtorin e ATK-së dhe drejtorin e Doganës. Nuk vonoi shumë ku edhe Qeveria Hoti pa ndonjë paralajmërim ka shuar task-forcën për luftimin e krimeve të natyrës që sot po shohim në Thesarin e Shtetit.
PDK kërkon përgjegjësi të plotë institucionale dhe politike nga Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami si dhe kryeministri Hoti për këtë krim ekonomik qeveritar.
Për t’i dhënë hapësirë hetimeve të pavarura, e për t’ju shmangur ndërhyrjes politike, PDK kërkon dorëheqjen e Ministres Bajrami dhe fton organet e drejtësisë që të hetojnë çdo individ që është përfshirë në këtë krim qeveritar.
Po ashtu, PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së./InLajmi/