Një përleshje fizike ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në Prevallë, me ç’rast katër persona janë arrestuar ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” Shaban Osmanollaj zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit.
“Policia ka pranuar një informacion se në Prevallë, përderisa disa qytetarë kanë ndezur një zjarr përball në restauranti dhe po bënin grill-piknik, pronari dhe familjarët e restaurantit kanë dalë dhe i kanë kërkuar që të njëjtit të tërhiqen nga aty, dhe me këtë rast ka ardhur deri te konfrontimi fizik ndërmjet katër personave të dyshuar dhe tre viktimave.
Si pasojë e këtij konfrontimi kanë pësuar lëndime viktimat dhe të njëjtit janë trajtuar nga Emergjenca e Prizrenit”, ka thënë Osmanollaj.
Ndërkaq në veturën e personave të dyshuar, policia ka sekuestruar një armë zjarri, dy thika dhe një çelës gomash, i cili dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes.
“Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e dyshuar për përdorimin e municionit me gaz Zoraki 917-T, me një kornizë dhe 4 fishekë municion gazi me mbishkrim 9 mm PAK-Pobjeda, 2 thika, një me një dorezë prej druri (kamë) ndërsa tjetra kishte një dorezë metalike si dhe një çelës ndryshues gomash që dyshohej se është përdorur në përleshje”, thotë Osmanollaj.
“Aktualisht kemi katër persona të dyshimtë në lidhje me këtë ngjarje. Rasti është duke u hetuar nga njësiti i hetimeve të Prizrenit”, thotë Osmanollaj.