Sapo ka mbaruar diskutimi maratonë i deputetëve të sapozgjedhur në Maqedonin e Veriut.
Me 62 vota PËR, 0 të PËRMBAJTUR dhe vota 51 KUNDËR, Maqedonia e Veriut ka Qeveri të re, e përbërë nga BDI, LSDM, Besa, PDSH dhe disa parti të vogla nga koalicioni i bllokut maqedonas, njofton Telegrafi Maqedoni. 113 deputetë nga 120 ishin në sallë gjatë votimit.
Diskutime lidhur me temën apo jo, mandatorët mbroheshin kurse opozita sulmonte.
“Kjo Qeveri do të jetë për dy gjëra. Për ekonomi dhe drejtësi. Duke mos harruar tjerat si shëndetësi dhe arsim. Prioritetet janë të orientuara kah BE dhe NATO. Kërkoj mbështetjen tuaj që të çojmë vendin përpara” tha mandatari Zaev.
U fol për programin qeverisës por më shumë për të kaluarën e qeverisë. U fol edhe personalisht për ministrat e propozuar e për të kaluarën e tyre.
Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa kanë luajtur rolin e vërtetë të opozitës duke folur dhe replikuar gjatë gjithë kohës.
BDI dhe LSDM mbroheshin por edhe shpalosnin të bëmat, sipas tyre pozitive, dhe të ardhmen pozitive që premtonin.
OBRM-PDUKM ende në stilin e vjetër, me tentim për të bllokuar punën e Kuvendit me fjalime maratonë dhe me akuza për LSDM-në.
Apasiev nga “E majta” Zaevit me shokë ju tha se janë sjellë si pederast kur e kanë ndryshuar emrin.
Qeveria do të ketë 19 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Bdi do të ketë 6 ministra dhe një zëvendëskryeministër. Besa do të ketë 1 ministër. Edhe LSDM do të ketë një zv.kryeministër shqiptar, atë për zhvillim ekonomik.
Qeveria e sapo votuar sipas analistëve do të jetë në “këmbë të qelqit” duke e parë edhe numrin e mbështetjes.