Djali i Shaban Sylës, Leutrimi, është dorëzuar në polici gjatë ditës së sotme si i dyshuar për vrasjen që ndodhi më 22 gusht në fshatin Nekovc të Drenasit. Lajmi u bë i ditur për Express nga ana e Policisë së Kosovës.
“Sot rreth orës 14:00 është vete dorëzuar në polici, personi L.S, i dyshuari kryesor për rastin e vrasjes që ndodhi me datën 22 gusht 2020, në fshatin Nekovc të Drenasit. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale”, thuhet në njoftim.
E në një deklaratë për Express, familja Syla ka bërë të ditur se personat e tjerë të dyshuar shpejt do t’u dorëzohen organeve të hetuesisë. Kanë kërkuar që e gjithë çështja t’u lihet organeve të drejtësisë.
“Kërkojmë që kjo çështje t’u lihet organeve të drejtësisë. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta shpirtërore për familjen Demiri dhe ndjejmë dhimbjen bashkë me ta. Apelojmë, kërkojmë nga politika sidomos nga politikanët pa bosht kurrizor që të mos hedhin benzinë në familjet tona”, thuhet në letrën që familja Syla ia ka dërguar Expressit.
E të dielën prindi i Leutrimit të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Shabani, nga Burgu i Dubravës për Gazetën Express ka folur rreth konfliktit që ka ndodhur të shtunën në fshatin Nekoc të Drenasit e si pasojë një person ka mbetur i vrarë. I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë djali i Shabanit, Leutrimi. Ky i fundit deri sot gjendej në arrati.
Por, garanci se të apostrofuarit e përfshirë në konflikt do t’i dorëzohen shpejt policisë po jep i dënuari për tentim vrasje në vitin 2012, Shaban Syla.
Ai nga burgu ka folur për Express rreth historisë së konfliktit me familjen Demiri të cilës dje dyshohet se iu vra një familjar. Ndërsa, familja Demiri, të cilës i mbeti i vrarë Qamil Demiri, rreth 50-vjeçar, nuk ka dashur të deklarohet për mediat.
“E gjithë ngjarja, sipas djemve tanë ka nisë që ia kanë zënë pritën, për ta nxjerrë hakun e para 8 vitesh. Nuk kemi lypë besë. Sot janë gjakrat e nxehta. Unë nesër u kam thanë njerëzve të shkojnë dhe të lypin besë. Me sinqeritetin më të plotë unë them se djemtë do të dorëzohen. I lus familjen Demiri, që të ndalen, të ulen gjakrat. Le ta thotë fjalën e saj drejtësia”, thotë i burgosuri Shaban Syla.