Drejtori i QKMF-së në komunën e Prishtinës, Sami Uka, sot ka njoftuar se një person i infektuar me koronavirus, i cili ka refuzuar hospitalizimin, po shkon në derë të QKMF-ve duke kërcënuar e sharë personelin shëndetësor për t’ia dhënë terapinë, përcjell InLajmi.
Sipas Ukës ky person po i rrezikon të gjithë personelin shëndetësor dhe pacientët që janë në QKMF-të duke shtuar mundësia e përhapjes së infektimit të koronavirusit.
Ai tha se deri tanimë i njëjti person ka shkuar në tri njësi me të njëjtat sjellje për të marrë terapinë.
Postimi i plotë i tij:
Po këtë si ta quajmë dhe si ta trajtojmë!?
Zotëria i infektuar me COVID 19 dhe me pneumoni të dyanshme refuzon hospitalizimin, sepse atje nuk mund t’i sigurohet komoditeti i shtëpisë. Kundër çdo rregulli, rekomandimi e udhëzimi, kërkon administrimin e terapisë parenterale në QMF – kujdesin parësor shëndetësorë!!! Nuk mungon arroganca dhe as sjellja përçmuese. Për më keq secilën herë e ndryshon QMF -në ku e kërkon dhe dhunshëm e merrë shërbimin “që të mos bëhet i tepërt”! Deri tani të paktën tre njësi! Të paktën 20 mjekë/infermiere potencialisht të infektuar për qejfin dhe teken e një njeriu të pandërgjegjshëm, që fare lehtë mund të jetë nga ata që COVIDIN 19 e konsiderojnë konspiracion dhe trillim. Burri i botës nuk ndalet para asnjë rregulli as parimi. Ai e bënë të fortin me mjekët/infermieret e pambrojtura.
Të kërcënuar, sharë e ofenduar ne edhe ia japim shërbimin por shndërrohemi pa dashje dhe dhunshëm në burim infeksioni.
Është koha e fundit, që profesionistët shëndetësor të merren në mbrojtje nga shteti me Ligj të veçantë, që do t’u garantonte ushtrimin e sigurt, të drejtë, të pandikuar, të dinjitetshëm dhe profesional të profesionit të vet, në të mirë të shëndetit publik! Ndryshe nuk është larg dita kur edhe ne do mbyllim dyert e institucioneve tona dhe soji i këtij burrit ‘trim’ do mund të urdhërojë vetëm familjarët e vet t’ia kyçin infuzionin! “Heronjtë” e së sotmes do avullohen prej këtu, jo me fajin e tyre.
Koha është tani! Nesër do të jetë vonë!/InLajmi/