Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi me rastin e vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar bashkatdhetarët shqiptar të cilët jetojnë dhe veprojnë në mërgatë me qëllim për të bashkëbiseduar dhe për t’i informuar për veprimet dhe situatën aktuale në Kosovë, përcjell InLajmi.
Ministri Selimi nga afër ka dëgjuar sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen mërgimtarët shqiptar dhe njëherit iu është përgjigjur edhe interesimit të tyre të madh për të ditur më shumë rreth ngjarjeve të cilat po zhvillohen në vend.
Selimi theksoi se ndihet krenar me të gjithë bashkatdhetarët tanë, duke vlerësuar lartë kontributin e dhënë ndër vite për atdheun si dhe ka përshëndetur investimin që kanë bërë për fëmijët e tyre të cilët përherë e më shumë janë duke u integruar në pozitat më të mira në shtetet ku jetojnë dhe ka falënderuar të gjithë ata të cilët sot Kosovën e shohin si vend për tu kthyer dhe kontribuar me potencialin dhe përvojat e tyre më të mira. “Bashkatdhetarët tanë kanë qenë zë i fuqishëm i Kosovës në momentet më vendimtare, forcë kyçe e ekonomisë sonë dhe referencë e përhershme e atdhedashurisë” tha Selimi./InLajmi/