Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerë prej 860 mijë euro, përcjell InLajmi.
Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.
Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.
“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.
Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.
“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.
Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.
Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.
Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës./InLajmi/