Gëzime Rexhepi Çollaku nga Asociacioni i Institucioneve Parashkollore Private ka thënë se vendimi i Qeverisë për mbylljen e çerdheve shkakton krizë në krizë.
Në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova, ajo ka shtuar se një vendim i tillë mund të shkaktojë çrregullim të madh socio-ekonomik duke lënë prindërit në shtëpi dhe edukatoret pa punë.
“Ky vendim u mor ‘ad-hoc’ nga Qeveria pa u bërë asnjë analizë, pa dhënë asnjë informatë paraprake. Kështu që të merret vendimi aty për aty dhe të kuptohet lajmi përmes mediave të shkruara, ka ndikuar negativisht tek prindërit dhe fëmijët”.
“Qeveria në asnjë mënyrë nuk është konsultuar para marrjes së këtij vendimi dhe nuk kanë dhënë asnjë sqarim – përkundër kësaj ende nuk ka një prononcim nga ana e tyre”.
“Pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha duke lënë prindërit në shtëpi, pastaj edukatoret mbesin pa punë, një çekuilibër në familje, një problem socio-ekonomik dhe pasojat janë zinxhirore”.
E pyetur se pse duhet të hapen çerdhet, ajo ka thënë se nuk funksionon asgjë pa funksionuar çerdhet.
Sipas saj, kushti i parë që prindërit të ndihen rahat në punë është duke e dërguar fëmijën në çerdhe.
“Ekspertët e epidemiologjisë kanë thënë se fëmijët janë më së pakti të afektuar nga Covid-19. Marrja e këtij vendimi është të shkaktuarit krizë në krizë. Kjo është që ta thellosh krizën pa ndonjë arsye dhe pa ndonjë argument”.