Po mbahet seanca e Kuvendit, ku LDK-ja ka propozuar , që të futet në rend të ditës ndryshimi i rregullores së Kuvendit, që ia mundëson deputetëve mbajtjen e seancave nga largësia, për shkak të shtimit të numrit me koronavirus, raporton InLajmi.
Propozimin në emër të LDK-së e ka bërë deputetja Besa Gaxherri, e cila tha se seancat duhet të mbahen nga largësia, të paktën për një periudhë të caktuar.
“Në emër të LDK-së e ngris propozimin tuaj si mocion që ne ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të kemi mundësi që të punojmë nga largësia, për shkak se deri më tani 10 deputetë janë të infektuar, unë besoj se një numër më i madh prej nesh janë të infektuar” u shpreh ajo.
Këtë çështje, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se e ka ngritur që nga muaji mars.
“Lidhur me përpjekjet që janë bërë për ndryshim të rregullores ka qenë propozimi që nga marsi që të mbahen seancat online.
Për komisionet kjo mundësi ekziston, ne po i mbajmë mbledhjet e kryesisë përmes platformës ZOOM.
Për seancë duhet patjetër të ndryshojë rregullorja. Mua më është dashur konsensusi i grupeve parlamentare”, tha Osmani.
Nga Vetëvendosje, shefi i deputetëve, Rexhep Selimi ka thënë se nuk mund ta ofrojnë mbështetjen që kjo pikë të futet në rend të ditës./InLajmi/