Me që më herët kam shetitur mjaft nëpër botë, në vitet e para të sghekullit XXI, më shkoi mendja të bëjë një sheti nëpër qytetin tim të lindjes. Pse jo, nuk thotë kot populli: Njihe vetvetën që ti njohësh të tjerët!…
Kështu, pasi i bëra përgatitjet e duhura, një mëngjes u zgjova më herët si zakonisht dhe nga lagja LAKURIQ, ku edhe banoj, u nisa deri te lagja TUSUS.
Me që akrepat e orës ende nuk kishin shkuar deri tek shtatësishi dhe nuk kishte lëvizje të mëdha të qytetarëve, shumë lehtë i kalova pesë gjashtë mëhalla të kësaj hygjym lagjeje. Më pastaj, u nisa drejt lagjes BILBILDERE, me dëshirë që në këto orët e mëngjesit të dëgjojë zërin e ëmbël të ndonjë bilbili. Por, më shkuan sytë nga fabrika dikur e njohur për prodhimin e barërave, jo vetëm në Kosovë, që sot po vuan për konsumatorët kosovar të cilët janë kthyer nga barërat e dyshimta, kineze, mongoleze, maqedonase, indiane, tajvaneze, etj.
Disi i zhgënjyer nga mungesa e bilbilave në këtë lagje dhe nga lumi i “lotëve” të “Farmakosit”, u nisa drejtë lagjes HOÇAMALE dhe u ndala në kafeçajtoren e parë që mbante emrin e këngëtares së njohur turke “Zeki Myren”. Këtu, piva një kafe turke, dhe më pas, zbrita deri në lagjen TERZI-MAHALLA. Aty, u ndala para sallës “parahistorike” të edukatës fizike të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, e më pastaj e vizitova edhe Shtëpinë e re të kulturës në mahallen e romëve, që sot për sot është më funksionale dhe më e vizituar se Shtëpia e ku-ku-kulturës e qytetit tim. Pse jo, edhe minorietet kanë nevojë për kult-urë.
Prej aty dola deri në SHADËRVAN, ku në lokalet e SHKA “Agimi”, piva një maciato dhe u nisa deri në RALIN, që për nga gjuha që dëgjohet këtu, i përngjan një lagjeje të Sarajevës nga boshnjakët e shumtë jo të ardhur nga Bosnja, por që gjatë ditës zbresin nga nga fshatrat e grykës së Lumbardhit. Deshta të ndalem në qebaptoren “Bujrum”, me që nuk kishte vend ku të ulem, u ngjita në lagjen KURILLA, ku i bëra disa fotografi me motive të bukura të Prizrenit të vjetër. Ngadal zbrita deri në lagjen BAZHDARHANE, ku e takova
Abdylkadrin, shokun tim të fëmijërisë dhe pimë nga një çaj rusi në kafeçajtoren e njohur “Kara Murat”. Më pastaj, vazhdova rrugën deri në lagjen BARUT-HANE, ku nuk u ndala shumë. Në mesditë, shkova të drekoj diç në qebaptoren e njohur “Gyle, gyle”, të lagjes JENIMALE. Pas drekës, aty rreth orës 15:30 minuta, arrita në lagjen ORTAKOLL, ku kalova afër disa dhjetra moteleve, restoranteve, zgarave për pula, dyqaneve të shumtë të kinezëve të cilët rrjedhshëm po e flasin gjuhën e ish “vëllezërve” tanë serb. Në balkonet e qindra shtëpive të mëdha e të bukura të kësaj lagjeje, valonin flamujt e shumë shteteve të botës, si dhe mbishkrimet në gjuhën angleze “For rent”. Evropë se jo mahi!…
Në ish lagjen Dushanovë, të rahmetli car Dushanit, që tani shndërritë me emrin lagja ARBANA, e ku vërejta si valonin disa flamuj, me shqipen dykrerëshe, ndjeva një çlodhje e freski. Nuk më
penguan fare, mungesa e kanalizimit, i ujit të pijshëm, i stoqeve me mbeturina, pastaj i planit urbanistik, etj. Këtu, me të vërtetë e ndjeva veten sikur të isha në Kosovë, me gjuhën shqipe të Malishevës, Llapit, Drenicës, Hasit, Karadakut, etj. Pas pak, u nisa për në lagjen TABAKHANE, ku nisi të më pengoj zhurma e madhe e agregatëve. Me që ngadal filloi të perëndoj dielli, vendosa të kthehem në shtëpi.
Natyrisht, nesër në mëngjes, duhet ta vazhdoj shetinë nëpër qytetin tim. Më duhet ti vizitojë edhe disa lagje të tjera, si janë: DRAGOMANI, ÇORAGA, PANTELIA, JAGLENICA, KËRKBUNARI, DUTLUKI, PAPASQARSHIA, MARRASHI, etj.