Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se Samiti virtual i Parisit po mbahet sot ndonëse Qeveria e Kosovës nuk ka publikuar asnjë platformë për dialogun, as ekip, as agjendë, as plan, përcjell InLajmi.
“Kemi sot në këtë samit Kryeministrin e Kosovës përballë Presidentit të Serbisë, i pari pa legjitimitet partiak, qytetar e institucional e i dyti me legjitimitet të plotë nga mbështetja qytetare në vendin e tij”, është shprehur ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Postimi i plotë i saj:
8 Qytetarë të Kosovës kanë vdekur vetëm dje nga Covid-19 ?
Numri total i rasteve pozitive është 4.307
Numri i rasteve aktive është 2.118.
94 Raste të vdekjes deri mbrëmë.
Qeveria Hoti ndërkaq nuk i dha mbështetje nismës ligjore për masat kundër pandemisë COVID-19. Shpërfillja e interesit të qytetarëve, rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shëndetit publik po bëhet vetëm për inate personale e partiake dhe me arsyetime të rreme.
Edhe pse si prioritet numër një kjo Qeveri jolegjitime e kanë paraqitur menaxhimin e situatës me pandeminë, prioriteti dhe detyra e vetme e tyre është kujdesi për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe atë pasi e gjunjëzuan fillimisht Kosovën.
Në planin e brendshëm gjendje e vështirë pandemike e ekonomike, e në ngutinë për përmirësim të raporteve me Serbinë, Zt. Hoti merr pjesë sot në Samitin virtual të Parisit, ndonëse në Kuvend akoma nuk ka prezantuar asnjë platformë për dialogun, asnjë ekip, asnjë agjendë, asnjë plan.
Kemi sot në këtë samit Kryeministrin e Kosovës përballë Presidentit të Serbisë, i pari pa legjitimitet partiak, qytetar e institucional e i dyti me legjitimitet të plotë nga mbështetja qytetare në vendin e tij.
Keq gjendja e brendshme, keq ajo e jashtme.
Kjo gjë duhet të ndryshoj, shëndeti i qytetarëve, mirëqenia, mbështetja e ekonomisë janë këto ditë obligim parësor./InLajmi/