Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka paralajmëruar të premten se gjendja e jashtëzakonshme e zbatuar në vend për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të zgjatet edhe përtej 31 korrikut.
Conte e kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 31 janar, pas dy rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Romë, por para vdekjes së parë të shkaktuar nga sëmundja.
Më pas, Italia u bë një prej vendeve më të goditura të Evropës nga virusi pandemik, duke regjistruar 35 mijë të vdekur dhe më se 242 mijë të infektuar.
Pas vlerësimit të gjendjes aktuale, Conte ka thënë se është e arsyeshme që gjendja e jashtëzakonshme të vazhdojë, përcjell EO.
Kjo masë ua mundëson autoriteteve që t’i mbajnë në fuqi masat e kufizimit të udhëtimeve, mbylljes së hapësirave publike dhe ndalimit të tubimeve.