Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, është treguar i ashpër me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi që propozoi rezolutë për largimin e Goran Rakiqit nga Qeveria e Kosovës për shkak të deklaratave të tij, raporton InLajmi.
Simiq, ia rikujtoi Osmanit se ajo është zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës falë edhe votave të Listës Serbe.
“Zonja kryetare po ua rikujtoj se ju jeni zgjedhur në krye të Kuvendit në bazë të votave të Listës Serbe”, deklaroi Simiq.
Ai po ashtu bëri të ditur se fjalët që Goran Rakiq iu ka referuar Kosovës si “Kosovo i Metohija”, nuk janë aspak të vërteta dhe se për këtë arsye nuk mund të hidhet në votim një rezolutë e cila është e bazuar në deklarata të pavërteta.
Simiq ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë këtë rezolutë.
“Zonja kryetare po ua rikujtoj se ju jeni zgjedhur në krye të Kuvendit në bazë të votave të Listës Serbe. Deklarata që e ke citua ju para Kuvendit nuk e ka thënë Goran Rakiqi. Ju ftoj ta gjeni nëse mund ta gjeni që ai e ka thënë një deklaratë të tillë. Nuk është e vërtetë nuk mund të nxirret një rezolutë në bazë të deklaratave të pavërteta. Kur kemi votuar për pozitën e kryetares nuk të kemi mbështetur ty, po për të mirën e institucioneve dhe përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend nuk e përfaqësojnë vetëm vetën e tyre por të gjithë ata qytetarë që e kanë votuar. I ftoj kolegët që të mos e votojnë këtë rezolutë sepse po bazohet në të pavërteta. Kjo nuk është praktikë parlamentare”, deklaroi Simiq./InLajmi/