Si rrallëherë, këtë të enjte, dhomat e repartit të Infektives në Spitalin e Mitrovicës ishin të zbrazura nga pacientët. Pacientët e infektuar me COVID-19, për shkak të gjendjes së rënduar, tashmë janë bartur në repartin e Pulmologjisë. 3 pacientët e vetëm që ndodhen në këtë spital po trajtohen me oksigjenoterapi.
Ky spital tash e disa ditë ka një pjesë të stafit të infektuar, të cilët po qëndrojnë në izolim. 16 mjekë, infermierë e staf teknik rezultuan pozitivë në testet e fundit të IKSHPK-së.
Megjithatë, fluksi i madh i pacientëve që këto ditë kanë vërshuar këtë spital, me dyshimin se janë të infektuar me COVID-19, e ka vështirësuar tej mase punën e këtij spitali i cili po funksionon me vetëm dy infektologë.
Reparti i Infektives në Spitalin e Mitrovicës ka vetëm dy dhoma me nga tre shtretër për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Por ky spital ka ndarë edhe reparte të tjera të spitalit për trajtimin e këtyre pacientëve në rast se ka rritje të rasteve, raporton KOHA.
Në 24 orët e fundit, në Komunën e Mitrovicës, në testet e IKSHPK-së, 35 persona rezultuan pozitivë. Deri më tani, në Mitrovicë janë rreth 200 persona të infektuar me COVID-19.