Ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dorëheqjen e ekspertëve, të mërkuren, nga grupi punues për vettingun e kishte parë të detyrueshme, përderisa vetë ky proces nuk ka alternativë, përcjell InLajmi.
“Qasja e tillë ka dëmtuar rëndë një përpjekje të sinqertë të vendosjes së themeleve të shtetit të së drejtës. Por, kjo Qeveri e paligjshme nuk ka jetëgjatësi. Iniciativat e mira dhe në interes të qytetarëve do të shtyhen përpara, sapo të kthehet legjitimiteti i Kuvendit dhe i Qeverisë së Kosovës. Si e kam thënë vazhdimisht, procesi i vettingut nuk ka alternativë e as për qëllim hakmarrjen ndaj askujt.
Është interes edhe i njerëzve të mirë dhe e di se ka të tillë brenda sistemit të drejtësisë. I njëjti do të shtyhet para pavarësisht vonesave e pengesave që po i bëhen”, ka thënë Haxhiu, gjatë një konference shtypi, të enjten.
Paralajmërimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, se në procesin e reformës në sistemin e drejtësisë do të përfshihen edhe zyrtarë të këtij sistemi, ka bërë që shtatë anëtarë të grupit punues për vettingun, që ishte themeluar nga Qeveria e Albin Kurtit, të mërkurën të japin dorëheqje.
Sipas tyre, Ministria ka vendosur që në grup të fusë edhe aktorët kryesorë të cilët do të duhej ishin subjekt i procesit të vettingut. Ehat Miftaraj, njëri prej të dorëhequrve, kishte thënë se me propozimin për zgjerimin e grupit, çdo iniciativë e tyre do të mbivotohej nga vetë anëtarët e sistemit të drejtësisë.
“Dorëheqja e djeshme e anëtarëve të grupit të ekspertëve padyshim nuk ishte lajm i mirë, sepse të njëjtit për katër muaj kanë punuar me zell dhe pa kompensim financiar. Është e dhimbshme shkelja e një pune të mirë që nisi. Por, dorëheqjen e pashë të detyrueshme sepse në vend që ministri aktual të takohej e të tregonte përkushtim për këtë proces e të linte anëtarët e grupit të përfundonin punën pa ndikim, ai vendosu t’ua shtojë grupit të ekspertëve edhe 20 anëtarë tjerë e ku shumica ishin përfaqësues të institucioneve të drejtësisë”, ka deklaruar ish-ministrja Haxhiu.
Haxhiu, në konferencën e shtypit, të enjten, po ashtu e ka paraqitur rrjedhën e zhvillimeve lidhur me vettingun./InLajmi/