Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar qytetarët që ia mësyejnë këtij shteti se duhet ti;i respektojnë masat rigoroze të marra për shkak të koronavirusit, përcjell InLajmi.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar bashkëatdhetarë,
para se të niseni për udhëtim në këtë periudhë, në të mirën tonë të përbashkët, në mbrojtje të shëndetit publik dhe shmangies së radhëve/pritjeve të gjata në pikat e ndryshme kufitare, lutemi që
të informoheni dhe respektoni me rigorozitet masat dhe rregullat e parashikuara për qarkullimin ndërkufitar.
Aktualisht, hyrja në shtetin e Italisë nga Republika e Kosovës lejohet vetëm për ata qytetarë që janë të pajisur me leje qendrim të vlefshme italiane (përfshirë ato të cilat kanë skaduar ku vlefshmëria është shtyrë deri më 31 gusht 2020) dhe kanë vendbanimin/rezidencën në Republikën italiane.
Sipas praktikave aktuale, parashikohet që në momentin e hyrje-daljes në pikat kufitare të territorit italian, udhëtarët duhet të plotësojnë autodeklaratën ku evidentohet qëllimi/motivi i udhëtimit, si dhe pranimi i kushtit për vetizolim 14 ditor fill pas hyrjes në territorin italian, të cilin më pas duhet ta komunikojnë edhe përmes telefonit pranë organeve të shëndetit publik, sapo të kenë arritur në vendbanimin përkatës.
Për më shumë detaje jeni të lutur të konsultoni linkun në vijim ku, falë kontributit tonë, informacionet do t’i gjeni edhe në gjuhën shqipe./InLajmi/