Hapësirat e ndara për trajtimin e pacientëve me koronavirus në Spitalin e Ferizajt janë stërmbushur me pacientë.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë gjatë ditëve të fundit, derisa është rritur numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore.
Aktualisht janë të hospitalizuar 15 pacientë, prej tyre 11 janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohen me oksigjenoterapi.
Drejtor i këtij spitali, Jeton Zeqiri, ka thënë se gjendja është rënduar pasi ditë më parë kanë rezultuar pozitivë infektologu i vetëm në këtë spital, së bashku me gjashtë specialistë të tjerë dhe katër infermiere.
Nuhi Baftiu, pulmolog në këtë spital, ka thënë se vazhdimisht mjekët nga repartet e tjera po sjellin pacientë të dyshuar me Covid-19, andaj për çdo ditë situata po rëndohet për ta.
Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt, nëpërmjet një komunikate, ka njoftuar se Shtabi emergjent, pas mbledhjes së fundit, ka marrë vendim që të riorganizohet puna edhe në hapësirat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për ta përballuar sa më lehtë këtë situatë, raporton KOHA.
Aktualisht, në këtë komunë janë të rreth 100 raste aktive, ndërkohë që nga fillimi i pandemisë janë shëruar mbi 140 pacientë.