Komunat e vendit po ankohen për numrin e ulët të testimeve që po kryhen në javët e fundit. Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, thonë se po vazhdojnë të testohen vetëm ata që kanë simptoma. Ankesa kanë edhe për vonesat në rezultate, për të cilat thonë se po arrijnë t’i marrin tek pas 2-3 ditësh.
Në kryeqytetin e Kosovës, ku aktualisht janë rreth 750 raste aktive me COVID-19, sot janë testuar 100 persona.
Drejtori për Shëndetësi në Prishtinë, Bujar Gashi ka thënë Gazetës Express se numri i testimeve që kryhen gjatë një ditë në kryeqytet sillet prej 50 deri në 100, derisa për rezultatet e këtyre testimeve thotë se ndonjëherë iu bie të presin deri në 72 orë.
“Sot janë testuar rreth 100 persona. Numri mestar i atyre që testohen gjatë një dite sillet prej 50 deri në 100. Rezultatet na vijnë varësisht nga prioritetet e IKSHP’së dhe nga ngarkesa nga 24 deri në 72 orë. Aktualisht i kemi 742 raste aktive”, ka thënë Gashi.
Ankesa për numrin e testimeve kanë edhe familjarët e të infektuarve, rastet e kontaktit, por edhe mantelbardhët.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se në këtë komunë ka nevojë për më shumë testime. Ai ka treguar edhe se si një mjek në Repartin e Stomatoligjisë ka rezultuar pozitiv dhe se nëse nuk testohen kolegët e tij, do të detyrohen ta mbyllin komplet repartin.
“Sot nuk e kam ende shifrën e saktë, por janë marrë rreth 10. Ka nevojë për më shumë testime, sepse kemi shumë kërkesa. Kërkesat janë prej familjarëve të të infektuarve, rasteve të kontaktiti dhe prej mantelbardhëve, meqenëse një numër i tyre kanë rezultuart pozitivë. Psh e kemi një rast që një mjek i repartit të Stomatologjisë ka rezultuar pozitivë dhe ai ka pasur kontakt edhe me kolegët e tjerë”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, numri mesatar i testimeve që kryhen gjatë një ditë në këtë qytet shkon në rreth 30.