Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të mos politizohet çështja e pandemisë po të votohet ligji anti COVID-19, përcjell InLajmi.
KMDLNJ thekson se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 po ndikon keq në çdo aspekt në jetën e qytetarit të Kosovës, nga ai material deri te e drejta për jetë.
“Pasi u identifikuan rastet e para , qeveria Kurti ndërmori masa radikale në nivel vendi duke e zbatuar karantinizimin e detyrueshëm përkundër faktit se nuk kishte bazë ligjore e që e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese me dy vendime ku shprehimisht thoshte se me vendimin e qeverisë po shkelen të drejtat e njeriut, e drejta e lëvizjes së lirë. KMDLNj , midis dy të drejtave, e drejta për jetë dhe e drejta për liri të lëvizjes ishte përcaktuar për të drejtën për jetë si e drejtë mbizotëruese prandaj e kishte përkrahur vendimin e qeverisë Kurti, deri në krijimin e një baze ligjore. Në ndërkohë ishte një nismë e kryetares së Kuvendit , Vjosa Osmani për votimin e një ligji anti- COVID i cili, për shkaqe të mospajtimeve politike u bllokua duke ndikuar në jetën dhe shëndetin e qytetarit”, thuhet në reagim.
Këshilli më tej thekson se Qeveria Hoti, për shkak të përshkallëzimit të pandemisë dhe pasojave të rënda për jetën e qytetarit rivendosi kufizimet e lëvizjes në katër qytete të Kosovës: Prishtinë , Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri e që dallon nga vendimi i qeverisë Kurti prandaj, sipas KMDLNj – së nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Po të ishte votuar me kohë Ligji anti – COVID, sot do ta kishim një bazë ligjore që do ta bënte shumë më efikase luftën kundër pandemisë dhe pasojat do të ishin shumë më të vogla. Për KMDLNj-në është e pakuptueshme që qeveria po e pret datën e fundit të 11 korrikut në vend se të veprojë me urgjencë dhe në përputhje me situatën e krijuar ku seriozisht po rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, me pasoja shumë më të rënda”.
KMDLNj iu bën thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake e të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve që të votojnë ligjin anti COVID, ndryshe përgjegjësia do të adresohet te ata./InLajmi/