Gjendja pandemike në vendin tonë është duke u rënduar. Në ditët e fundit numri të infektuarve është rritur dukshëm pothuajse në të gjitha qytetet. Një ndër qytetet më të prekura me “Covid-19” është Vushtrria dhe e kuptueshme që të rrezikuar janë edhe futbollistët e klubit të Vushtrrisë, që bën gara në Superligën e Kosovës.
Presidenti i Vushtrrisë, Bajrush Kajtazi në një prononcim për insportin është shprehur tejet i shqetësuar me gjendjen aktuale, duke deklaruar se dy futbollistë të klubit janë me simptoma të “Covid-19”, madje njëri është në gjendje të rëndë.
“Dy futbollistë janë me simptoma të “Covid-19”, që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës duhet të merr masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”.
Sipas Kajtazit, simptomat e tyre janë temperaturë dhe lodhje. Pas ndeshjes me Flamurtarin, njëri prej tyre në dhomat e zhveshjes ka shqetësuar gjithë skuadrën pasi gjendja e tij ishte e rëndë.