Masat parandaluese të Qeverisë së Kosovës në luftën ndaj koronavirusit, po konsiderohen si të dëmshme për ekonominë vendëse.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, u shpreh se kriza ekonomike në vend po thellohet çdo ditë e më tepër, duke thënë se mbyllja e ekonomisë nuk është alternativë.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që kriza në Kosovë çdo ditë e më tepër është duke u thelluar dhe definitivisht Kosova është pranë një kolapsi ekonomik, politik dhe social dhe është një situatë që duhet të na shqetësojë”.
“Në rend të dytë duhet të kuptohet që mbyllja e ekonomisë nuk është alternativë, duhet vërtetë që të rriten masat vetëdijesuese, të ketë kontrolle që të zbatohen të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe mbi të gjitha duhet Qeveria të jetë më aktive në gjetjen e mundësive për të mobilizuar kapitalin e mbështetjes së sektorit privat. Vet fakti se e kemi një vit të dështuar kalendarik ekonomik është shqetësimi më i madh dhe po e shohim se shumë sektorë janë para kolapsit”, thotë ai.
Teksa ka folur për masat e reja, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, u shpreh se Qeveria duhet të punojë në atë drejtim që të rritet vetëdijesimi i qytetarëve.
Gërxheliu për EO ka thënë se ekzekutivi duhet t’i ketë disa skenarë para vetës në mënyrë që ta shpëtojë ekonominë, siç janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rritja e borxhit publik.
“Duhet të punohet në atë drejtim që qytetarët të jenë të vetëdijesuar dhe të ketë masa mbrojtëse të cilat do t’i zbatojnë. Mirëpo ekonomia është ajo që duhet të garantojë stabilitet edhe social dhe ekonomik, që do ta përmirësojë imazhin e Kosovës”.
“Në këtë drejtim sektori privat duhet të jetë më i mbështetur, nuk janë bërë hapa të mjaftueshëm, prandaj duhet të kemi skenar të ndryshëm. E para është ndihma e paevitueshme që duhet të jetë nga Qeveria, së dyti, rritja e borxhit publik sepse ka hapësirë ligjore dhe e treta duhet të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh Gërxhaliu.
Masat e Qeverisë që hyjnë në fuqi nga e hëna:
Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen ta reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm (institucionet përkatëse do të sqarojnë me qarkore të veçanta se çfarë paraqet staf të domosdoshëm për to).
Institucioneve shëndetësore publike dhe private u rekomandohet t’i reduktojnë shërbimet shëndetësore joesenciale.
Kërkohet nga të gjitha komunat t”i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.
Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme):Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës;
Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete).
Të gjitha subjektet që ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taksi) të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.
Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse shëndetësore të ndërtojnë strategji adekuate mediale për informim të qytetarëve.
Në përputhje me kërkesat e Inspektoratit Sanitar, të gjitha inspektoratet e tjera i vënë në dispozicion kapacitetet e veta për të mbikëqyrur zbatimin e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Obligohet Ministria e Shëndetësisë të përgatisë “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid 19” dhe ta sjellë për miratim në Qeveri brenda një jave.
Ministria e Shëndetësisë përgatit dhe dorëzon në Qeveri në baza javore raportin për zbatimin e këtij vendimi.
Obligohen institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.