Një virus 96 për qind identik me koronavirusin që shkakton COVID-19, është gjetur në një minierë të braktisur në Kinë tetë vjet më parë, sipas një hulumtimi.
Miniera e bakrit në Mojiang, në perëndim të Kinës, e cila është e pushtuar nga lakuriqët, ka qenë shtëpi e një koronavirusi që ka sëmurë gjashtë persona në Kinë me pneumoni dhe ka shkaktuar vdekjen e tre prej tyre.
Shkenctarët kanë marrë mostra të fecesit të lakuriqëve, të gjetur në dysheme të shpellës, dhe e kanë ruajtur atë në laborator në Wuhan me vite duke studiuar mostrat.
E në dhjetor, Wuhani është bërë burim i pandemisë së koronavirusit, që ka infektuar tash mbi 11 milionë persona dhe ka shkaktuar vdekjen e mbi 525 mijë.
Virusi, me emrin RaBtCoV/4991 në atë kohë, duket se është më i përafërti me SARS-CoV-2, virus që shkakton COVID-19, është thënë në një hulumtim të “Sunday Times”.
Virusi i zbuluar tetë vjet më parë nuk është përmendur shumë nga hulumtuesit kinezë. Është shkruar për të në vetëm një gazetë shkencore dhe nuk është përmendur fakti se ka shkaktuar pneumoni fatale te njerëzit, shkruan “Daily Mail”.
Raportohet se gjysma e lakuriqëve të testuar në Mojiang kishin pasur së paku një lloj të koronavirusit.