Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci një mujorin qeverisës nga qeveria Hoti e ka konsideruar si joligjitime, përcjell InLajmi.
Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se qeveria që ka vetëm 59 vota në Kuvend e dy vota të kontestuara në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, për vetëm një muaj ka bërë një varg lëshimesh. Lëshime ndaj Serbisë duke gjunjëzuar Kosovën. Lëshime ndaj kujdesit për qytetarët në këto ditë të pazakonshme pandemie që kanë rezultuar me rekorde të të infektuarve, të të vdekurve e të shtruarve në spital.
Postimi i plotë i saj:
Një muaj lëshime nga qeveria jolegjitime.
Qeveria që ka vetëm 59 vota në Kuvend e dy vota të kontestuara në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, për vetëm një muaj ka bërë një varg lëshimesh. Lëshime ndaj Serbisë duke gjunjëzuar Kosovën. Lëshime ndaj kujdesit për qytetarët në këto ditë të pazakonshme pandemie që kanë rezultuar me rekorde të të infektuarve, të të vdekurve e të shtruarve në spital.
Për vetëm një muaj:
– Hoqën dorë vullnetarisht nga reciprociteti me Serbinë, pra nga mundësia për t’u trajtuar si palë e barabartë në negociata.
-Hoqën dorë vullnetarisht nga e drejta e aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
-Hoqën dorë nga inicimi i punës për procesin e Vetingut.
-Nuk ka asnjë qëndrim për rithemelimin e Institutit për hulumtimin dhe adresimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë.
Përderisa hoqën dorë nga proceset e iniciativat që ishin në interes të qytetarëve, iu rikthyen praktikës së vjetër të rritjes së kabinetit qeveritar. Numër i madh i zëvendës kryeministrave, zëvendës ministrave, këshilltarëve, e së shpejti edhe të koordinatorëve nacionalë, pra zhvatjes e parasë publike dhe kapje e shtetit përmes punësimeve familjare e partiake./InLajmi/